Categories: Lajme

Një abetare për shkollat e mesme

Më shumë se shqetësuese dhe alarmante, duhet të konsiderohet e dhimbshme deklarata e drejtorit të shkollës së mesme teknike në Suharekë. Ai tha se pothuajse gjysma e nxënësve që janë regjistruar sivjet në këtë shkollë, nuk dinë shkrim-lexim as matematikën elementare.

Nga ajo që tha drejtori, i bie se për nëntë vjet në shkollën fillore e mesme e ulët, mësuesit/et dhe arsimtarët/et e gjuhës atyre nuk mësuan as nga katër (4) shkronja të alfabetit gjatë një viti shkollor.

Drejtori e tha një të vërtetë të madhe, jo veç për shkollën e tij, por për shkollat tona sot.

Kjo është shkolla jonë e shekullit XXI (njëzetë e një).

Kjo është shkolla jonë ku mëtohet të aplikohet kurrikula moderne, me tekste shkollore që as mësimdhënësit nuk u bien në fije. Shkolla të pajisura me kabinete të teknologjisë informative dhe pajisje digjitale, kabinete të shkencave natyrore … Fatkeqësisht, në krejt këtë “të arritur”, në vend se mësimdhënësit t’ua bëjnë nxënësve mësimin më atraktiv – dhe të paktën t’i mësojnë shkrim-lexim, për nëntë vjet – shkollat ia dalin të prodhojnë analfabetë klasikë e funksionalë.

Kjo është shkolla jonë, mjerimi ynë.

Janë shkollat e SBAShK-ut të Rrahman Jasharajt dhe Ymer Ymerit, të cilët kryefjalë të angazhimit dhe aktivitetit sindikal i kanë grevat, pagat, pagat dhe pagat.

Janë shkollat e Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive komunale të arsimit, të cilat rrahin gjoks me investimet e bëra për ngritjen e cilësisë në arsimit që peshohet me infrastrukturën fizike (numrin e shkollave të reja, kabineteve e sallave të fizkulturës) dhe jo me rezultatet në mësimdhënie e mësimnxënie.

Këto janë shkollat e pozitës dhe opozitës. Këto janë shkollat tona. Kjo është Kosova.

Sa herë zëmë në gojë cilësinë e arsimit, përmenden rezultatet turpëruese në testin ndërkombëtar Pisa.

Harrojeni testin ndërkombëtar të nxënësve.

Lërini përrallat për kurrikulat moderne dhe trajnimet koti të mësimdhënësve.

Ministria e Arsimit duhet urgjentisht të gjejë formë për testimin e aftësive profesionale (pse jo edhe psikofizike) të mësimdhënësve.

***

Njerëz përgjegjës të arsimit, numri i nxënësve në shkolla po bie çdo vit! Objektet e reja shkollore po mbesin pa nxënës.

Në bazë të statistikave, nga viti shkollor 2008/09 deri në vitin shkollor 2019/20, numri i nxënësve në Kosovë ka rënë për 26 për qind, apo për 114 323 nxënës (që i bie se do të duhej të kemi rreth 300 e më shumë shkolla më pak).

Në viset rurale shkollat që dikur kishin mbi 100 nxënës sot kanë ngelur me nga 5-6 nxënës dhe askush s’e vret mendjen për këtë.

Askund nuk ka strategji se çfarë të bëhet në 10 vitet e ardhshme, kur – nëse vazhdon trendi i rënies së numrit të nxënësve – edhe shumë shkolla do të mbesin boshe.

Përpjekjen e parë për të bërë diçka në këtë aspekt, në dobi të nxënësve, nuk e bëri Ministria e Arsimit as SBAShK-u, por e bëri kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati. Qëndroni vetëdijshëm u viktimizua politikisht dhe sakrifikoi edhe një mandat të kryetarllëkut duke nisur zbatimin e reformës në arsim përmes një projekti që do të duhej të ndodhë në çdo komunë.

Qëndroni ra viktimë e atyre që i duan shkollat me nga 3-4 nxënës e 5-6 mësimdhënës dhe një punëtor teknik, që do ta kalojnë një gjysmë dite rekreative (lojë shahu e duke pirë kafe e çaj në ambientet e ngrohta të shkollës).

Ministria e Arsimit, SBAShK-u dhe ekspertë të arsimit duhet urgjentisht të përgatisin strategjinë e arsimit dhe strategjinë e ngritjes së cilësisë me një plan veprimi të menjëhershëm.

Përndryshe, në letër shumë gjëra të bukura janë shkruar për ngritjen e cilësisë në arsimin e Kosovës.

Në shtator të vitit 2019, zëvendëskryeministri i atëhershëm – e që dikur ishte edhe ministër i Arsimit – Enver Hoxhaj, kishte thënë se prioritet i qeverisë është që të bëhet procesi i mësimit tërë ditor, duke thënë se nga viti shkollor 2020/21 do të fillojë në gjithë Kosovën.

Nejse, në vitin 2020, shkaku i pandemisë – jo i grevave – mësimi u zhvillua herë në shkolla e herë online, e herë as ashtu as kështu.

Mësimi tërë ditor u paralajmërua nga një qeveri që nuk është më. Dhe, kush e di edhe sa qeveri do të ndërrohen e ky projekt do të mbetet veç si ide. E, në letër nuk do të shkruhen statistikat e frikshme të numrit të analfabetë “funksionalë” që i nxjerrin shkollat dhe fakultetet tona. Ata do të vazhdojnë “shkollimin” nga e mesmja dhe kush e di ku do të ndalen në rrugën e “dijes”.

***

Tek lajmi dhe deklarata e drejtorit të shkollës teknike të Suharekës – të publikuar nëpër media e portale dhe të shpërndarë gjithandej nëpër rrjete sociale – mund të lexoje komente nga më të ndryshmet dhe më të dhimbshmet. Komentues si ne më. Secili i jep vetes të drejtë të shes mend, të shajë e qortojë.

Njëri nga komentuesit nuk e shihte si shumë tragjike këtë punë, duke shkruar: “Secili nga ata (100 analfabetët e kasës së dhjetë) e kanë rrugën e tyre, disa prej tyre një ditë edhe do të bëhen udhëheqës institucionesh”.

Nejse.

Dikur organizoheshin kurse kundër analfabetizmit, të cilat zgjasnin nga 4-5 muaj. Dhe, për këtë periudhë, personat e rritur ia dilnin të mësojnë shkrim-lexim.

Sot nuk mjaftojnë as nëntë vjet shkollim të rregullt për të mësuar të shkruhet e lexohet në alfabetin e gjuhës sonë.

Në fund të klasës së parë mësuesit/et organizojnë Festën e Abetares, që i bie se nxënësit i kanë mësuar 36 shkronjat dhe dinë të lexojnë dhe shkruajnë. Por, po del se 100 nga 240 nxënësit e shkollës teknike në Suharekë (fatkeqësisht dhe shumë nxënës të shkollave të tjera të mesme sot) nuk duhej të ishin pjesë e Festës së Abetares.

Atyre, në përfundim të vijimit të shkollës nëntëvjeçare, në vend të dëftesës, do të duhej t’u jepej … abetarja.

admin

Recent Posts

Një ukrainase në Shqipëri: Me rusët kemi qenë si motra dhe vëllezër

Oksana Genkina prej gati 10 vitesh jeton në Tiranë, ku ka krijuar edhe familjen e…

4 orë ago

Kurti demantohet nga Transparency International: Përmirësimi i pozicionit erdhi nga transferimi paqësor i pushtetit

Kryeministri Albin Kurti nuk ka ngurruar që të marrë merita për përmirësimin e gjendjes me…

7 orë ago

Me t’u vjedh thesari para syve është skandal”, debat i ashpër mes deputetit të VV-së e Hykmete Bajramit të LDK-së

Vjedhja e 2 milionë eurove në tetor të vitit 2020 nga Thesari i Shtetit vazhdon…

12 orë ago

Lushtaku: Serbët në veri kanë qenë të privilegjuar nga Millosheviqi, tash nga Albin Kurti

Një nga figurat më me peshë elektorale në PDK, Sami Lushtaku, thotë se me shtrenjtimin…

12 orë ago

Nënkryetari i PDK-së thotë se është për shkëmbim të territoreve

Nënkryetari i PDK-së, Ramë Buja ka thënë se para një Asociacioni të komunave serbe me…

1 ditë ago

Qytetarët mbushin sheshin, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës

Në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka filluar protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, e thirrur nga…

1 ditë ago