E diel, 24 Tetor, 2021

Bekim Jashari ‘dorëzohet’ përballë Sami Lushtakut – Heshtje totale nga Komuna e Skenderajt për thyerjen e masave antiCovid

Lexo

- Advertisement - >

Që nga 23 dhjetori, kur Partia Demokratike e Kosovës, shpalli kandidatin për kryeministër, Enver Hoxhajn, kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku nuk është ndalur duke organizuar tubime në këtë komunë, pavarësisht masave anticovid.

Gjithçka nisi me strukturat e degës së PDK-së në Skenderaj. Në tubimin e parë në në këtë komunë, u panë pak persona me maska e aspak distancë mes veti, shkruan Gazeta Insajderi.

Tubimeve u parapriu një shkrim i gjatë që Lushtaku publikoi në Facebook, përmes së cilit bënte thirrje për mobilizim. Thirrjeve të Lushtakut iu përgjigjën simpatizantët e PDK-së në të gjitha fshatrat e Skenderajt.

Prekazi i Epërm, Polaci, Aqareva, Qirezi, Tersteniku, Llausha, Vojniku, Kllodernica, Runiku, Prekazi, Rakinica, Vitaku, Kopiliçi i poshtëm, Kopiliçi i epërm, Rezalla, Krasaliqi, Baksi e Buroja, ishin fshatrat e Skenderajt dhe lagjet tjera të qytetit ku Sami Lushtaku, ka mbledhur dhjetëra persona duke shkelur masat antiCovid.

Qeveria e Kosovës prej shpalljes së pandemisë vitin e kaluar, ka ndaluar tubimet në vendet publike, ka obliguar bartjen e maskës dhe mbajtjen e distancës. Pavarësisht këtyre masave, në të gjitha tubimet që ka mbajtur Lushtaku në Skenderaj, janë shkelur ato.

Në këto tubime, ku ushimet, pijet e pemët mbulojnë tavolinat ku ulen të “mëdhenjtë” e PDK-së, nuk mungon as muzika me qiftelia, këngët për Lushtakun e gjuajtjet me armë.

Pas tubimeve në oda e tenda, mbrëmë rezervuan një sallë luksoze të dasmave, ku mblodhën qindra persona.

Kjo ishte ekskluzivisht për takimin me familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Skenderaj, me kandidatin për kryeministër Enver Hoxhaj.

Por, me Sami Lushtakun dhe tubimet e PDK-së, nuk po merret Inspektorati i Komunës së Skenderajt. Deri tash nuk ka shqiptuar asnjë gjobë.

Dorëzim total i qeverisjes lokale përballë kryetarit të degës së PDK-së atje.

Deri tash asnjë fjalë nuk e ka thënë as kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari të cilin tash e disa ditë është duke e kontaktuar Gazeta Insajderi.

Përgjigje tash e tre ditë nuk ka kthyer as drejtori i Inspektoratit në Komunën e Skenderajt, Arton Veliu.

As institucionet tjera nuk kanë marr masa ndaj tyre, ndonëse numrat e rasteve aktive të të prekurve me covid janë 5 mijë e 879 persona.

Policia e Kosovës, të marten i ka thënë Insajderi, se kanë nis hetimet për gjuajtje me armë në Vojnik, por që, sa i përket mosrespektimit të masave ende nuk kanë ndërmarr asgjë.

Skenderaj nuk është komuna e vetme ku po mbahen tubimet elektorale të partive politike, por deri tash vetëm Inspektorati i Komunës së Prishtinës, ka shqiptuar gjoba ndaj partive që ka thyer masat antiCovid.

Deri më tani, komuna e Prishtinës ka mbledhur rreth 15 mijë euro gjoba nga tubimet e LDK-së, PDK-së, AAK-së e Vetëvendosjes.

- Advertisement - >

Më shumë

- Advertisement - >

Të fundit