E mërkurë, 20 Tetor, 2021

Skandal: Sekretari i Ipeshkvisë fyen figurën e Anton Çettës, në shenjë hakmarrjeje pasi vajzat nuk pranuan që përmendorja e tij të vendoset në oborrin e Katedrales

Lexo

- Advertisement - >

Kërkesa e vajzave të Anton Çettës që shtatorja e tij të mos vendoset në oborrin e Katedralës Shën Nënë Tereza i ka bërë nervozë eksponentët e Kishës Katolike të Kosovës. Pikërisht në ditën kur është inauguruar shtatorja e Ibrahim Rugovës Sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Fatmir Koliqi ka lëshuar një fjalë fyese ndaj figurës së Anton Çettës duke thënë se nuk ka qenë i denjë që shtatorja e tij të vendoset në oborr të katedrales.

Dy ditë pasi vajzat e Anton Çettës, Donika dhe Agata Çetta i kanë kërkuar Ipeshkvisë së Kosovës që të mos e vendosin shtatoren e babait të tyre në oborrin e Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës ka zgjedhur të hakmerret.

Ai ka thënë se Anton Çetta nuk ka qenë i denjë që përmendorja e tij të vendoset krahasaj asaj të Ibrahim Rugovës duke thënë se kanë hasur në “padenjësinë sakramentale të tij” edhe pse fillimisht kishin vendosur që shtatorja të vendosej në oborrin e Katedrales.

“Për të respektuar mospëlqimin e vajzave të prof. Anton Çettës dhe pasi kemi hasur në padenjësinë sakramentale të tij, atëherë kemi sjellë vendim që të mos vendoset shtatorja e Anton Çettës”, ka deklaruar gjatë së enjtes sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Fatmir Koliqi.

Pasi ia ka përmendur “padenjësinë sakramentale”, Koliqi e ka quajtur figurë të madhe të kombit Anton Çettën.

“Ipeshkëvia e Kosovës ka dashur që t’i nderojë dy figura të mëdha të kombit, dr. Ibrahim Rugovën dhe prof. Anton Çettën. Për këtë asnjëherë nuk është sjellë një vendim i prerë” ka shtuar tutje Koliqi.

Menjëherë pas këtij fjalimi kundër figurës së Anton Çettës nga Sekretari i Ipeshkvisë kanë reaguar vajzat e tij duke publikuar një fotografi të babait të tyre në një tubim të faljes së gjaqeve përkrah Zekeria Canës.

“Në mes të popullit, aty ku bijtë e bijat e tij gjejnë përkrahjen dhe përjetësinë” kanë shkruar ato.

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim vitin e kaluar që shtatorja e njërës prej figurave më ëmblematike të viteve 90’të i njohur për rolin e tij në Pajtimin e Gjaqeve të vendoset në oborrin e Fakultetit të Filologjisë pasi të kryhet ndërtimi i parkingut. Përpjekja e ish-Ministrit Kujtim Shala për ta vendosur përmendoren para objektit të Institutit të Albanologjisë kishte dështuar pasi drejtori i këtij Instituti kishte thënë se hapësira aty është e ngushtë.

Por, vajzat e Anton Çettës kishin reaguar kundër planeve të Kishës Katolike në Kosovë që Shtatorja e Anton Çettës të vendoset në oborrin e Katedrales. Ato iu kishin drejtuar me një letër Ipeshkvit të Kosovës Dodë Gjergjit duke thënë se nuk e miratojnë një vendim të tillë. Letra është dërguar në dhjetor por është publikuar dy ditë para vendosjes së shtatores.

Më poshtë mund të gjeni shkresën e dërguar në formë zyrtare, më datë 24.12.2020, nga familja e prof. Anton Çettës drejtuar Imzot Dodë Gjergjit – Ipeshkëv i Kosovës.

I nderuar Imzot Dodë Gjergji,

Në cilësinë e familjes Çetta, ju dërgojmë këtë letër përmes së cilës deklarohemi rreth vendosjes së shtatores së babait pranë Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ne vlerësojmë nismën Tuaj për të respektuar figurën multidimensionale të babait tonë. Por duke njohur mirë shpirtin e tij, dhe duke qenë të vetëdijshme për jetën dhe veprën e tij, vazhdojmë të besojmë fort se, misioni i tij fisnik u realizua duke u bazuar në vlerat e pajtimit, paqes, tolerancës fetare e mbi të gjitha mbi dashurinë e madhe ndaj popullit të vet shqiptar.

Ne vlerësojmë se figura e babait duhet të jetë model që transmeton tek gjeneratat e reja vlerat duke tejkaluar të gjitha dallimet e një shoqërie multireligjioze ku ndodhemi ne, model i paanësisë dhe dinjitetit.

Vendosja e shtatores brenda mureve të oborrit të Katedrales, do të binte ndesh me parimet dhe qëllimet e tij, prandaj ne si familje nuk e miratojmë një vendim të tillë dhe shpresojmë shumë në mbështetjen Tuaj dhe mirëkuptimin e vendosjes së shtatores përballë Fakultetit Filologjik aty ku e ka miratuar Kuvendi Komunal.

Me respekt,

vajzat e Anton Çettës,

Donika Çetta Junçaj dhe Agata Çetta

- Advertisement - >

Më shumë

- Advertisement - >

Të fundit