E martë, 19 Tetor, 2021

Nisma po pret që PDK ta ftojë në një koalicion.PDK as që është marrë me këtë çështje

Lexo

- Advertisement - >

Nisma Socialdemokrate po pret që Partia Demokratike e Kosovës ta ftojë në një koalicion parazgjedhor, që sipas kreut të partisë që mezi e kaloi pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit, do të luftonte për vendin e parë.

Ndërkohë që ditëve të fundit s’ka pasur takime ndërmjet PDK-së dhe Nismës për ta diskutuar mundësinë e lidhjes së këtij koalicioni, kjo s’është diskutuar as brenda PDK-së, raporton Express.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi tha se as që janë marrë me këtë çështje. Ai tha se në këtë fazë po merren kryesisht me listën e kandidatëve për deputetë dhe platformën.

“PDK as që është marrë me këtë çështje. Fokusi i PDK-së tani në këtë fazë është te kandidati për kryeministër, prof. Enver Hoxhaj, lista e kandidatëve dhe platforma me të cilën do të garojmë”, tha Bytyçi për Express.

Në kampin e Nismës po presin ende për një ofertë nga PDK-ja. Anëtari i Nismës, Vesel Krasniqi, tha se po ashtu janë duke u përgatitur për zgjedhje.

“Nuk kemi ende asgjë zyrtare. Kanë biseduar më herët… Kemi pritur ofertë prej tyre, presim. Momentalisht nuk kemi ofertë… Ne vazhdojmë. Jemi duke i bërë përgatitjet për zgjedhje”, tha Veseli.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj është shprehur i bindur se një koalicion me partinë nga e cila kishte dalë në vitin 2013 do t’i vendoste ata në garë serioze për vendin e parë.

“Një koalicion i tillë PDK-Nisma do të luftonte për vend të parë”, kishte thënë Limaj më 17 dhjetor në Pressing të T7.

Krejt në fund të vitit, nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku tha se nuk do të ketë koalicion parazgjedhor me Nismën.

“Nuk ka qenë disponimi vetëm për Nismën, por ka qenë për të gjitha partitë politike, do të thotë është një opinion që ne duhet të garojmë të vetëm dhe ata na kanë dhënë shumë arsye pse duhet të garojmë vetëm kësaj radhe”, ishte shprehur Lushtaku për “Front Online”.

Po atë ditë, dega e PDK-së në Malishevë kishte hedhur akuza të rënda ndaj kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, duke u shprehur hapur kundër këtij koalicioni dhe duke duke e akuzuar Limajn se po përfiton në kurriz të ish-krerëve të PDK-së.

“Fatmir Limaj, duke parë që nuk ka asnjë shpresë për të shpëtuar politikisht, po përpëlitet duke u munduar që shpëtimin ta gjejë në emër të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, si dhe nën logon e PDK-së”, thuhej ndër tjerash në këtë reagim të degës së PDK-së në Malishevë.

- Advertisement - >

Më shumë

- Advertisement - >

Të fundit