E hënë, 25 Tetor, 2021

Pas tri dekadash, Eliot Engel largohet nga Kongresi – në fjalimin e tij lamtumirës përmend edhe Kosovën

Lexo

- Advertisement - >

Eliot Engel nesër largohet nga Kongresi në SHBA, pas 32 vjetëve.

Engel ishte së fundi kryetar i Komitetit për Politikë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Pas 32 vjetëve të shkëlqyeshme, sot është dita ime e fundit si anëtar i Kongresit. Ka qenë nder jetësor t’u shërbej njerëzve të Bronxit dhe Westchesterit dhe jam përjetësisht falënderues që më është ofruar mundësia t’u përfaqësojë ju në Washington. Faleminderit që më keni dhënë besimin e juaj”, ka shkruar ndër të tjera kongresisti Engel në Facebook.

Ai më pas ka postuar fjalimin që e mbajti më 17 dhjetor.

Ndër të tjera në fjalim ai foli edhe për Kosovën dhe se si Kosova ka një vend të veçantë në zemrën e tij. Engeli njihet si përkrahës i madh i Kosovës.

“Unë gjithmonë kam pasur një vend të veçantë në zemrën time për Ballkanin dhe në veçanti, për Kosovën. Në vitin 1999, fuqishëm e kam përkrahur intervenimin e Administratës Clinton në Ballkan. Ne e dimë se parandaluam gjenocidin. Që nga atëherë, kam qenë përkrahës i sovranitetit të Kosovës dhe pavarësisë. Shteti ka bërë hapa të jashtëzakonshëm dhe njihet nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia dhe shumë shtete tjera të rëndësishme”, tha Engel.

Engel, demokrat, ka përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare – që nga viti 1989.

Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e ka bërë atë të famshëm në këtë shtet, të njohur nga rreth 115 vende të tjera.

Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.

Kjo e ka bërë atë një figurë të diskutueshme në Serbi, vendin që vazhdon ta refuzojë humbjen e Kosovës dhe lobon kundër njohjes së saj nga komuniteti ndërkombëtar.

Megjithatë, largimi i Engelit nga Dhoma e Përfaqësuesve – ku së voni ka kryesuar Komitetin për Punë të Jashtme, duke përdorur pozicionin e tij për të ndëshkuar Beogradin dhe për të mbrojtur Kosovën – mund të mos jetë një rast për Serbinë që të gëzohet.

Engel, 73 vjeç, ka thënë se nuk e ka në plan të pensionohet pas humbjes së tij të befasishme në zgjedhjet paraprake, në verë.

Ai ka thënë se është pyetur nëse do që të jetë ambasador ose nënsekretar në administratën e Joe Bidenit dhe se po i shqyrton opsionet. Kjo ngre pyetjen nëse ai do të vazhdojë të ndikojë politikën e SHBA-së në Ballkan.

“[Ka] shumë gjëra të ndryshme që mund t’i bëj… Nuk do të marr ndonjë vendim tani, por e dini se jam duke menduar”, ka thënë Engel për Washington Examiner, në fillim të dhjetorit.

“Ndoshta bëj diçka me administratën… Disa njerëz kanë sugjeruar që mbase unë mund të jem ambasador”, ka thënë ai.

- Advertisement - >

Më shumë

- Advertisement - >

Të fundit